Kultura e të ushqyerit

Sa e thjeshtë duket kjo temë por aq pak flitet dhe aq më pak zbatohet?

Sa pak mësojmë në shkollën fillore për ushqimin që është një gjë që duhet ta bëjmë disa herë në ditë dhe çdo ditë për të gjithë jetën?

Shumë herë informacionet që marrim lart e poshtë janë të gabuara.

Ushqimi përveç se një nevojë është edhe një nga kënaqësitë e jetës.

A po përmisohet kultura e të ushqyerit apo po përkeqësohet?

Më poshtë po flasim për të gjitha këto.

Kultura e të ushqyerit në përgjithësi merret nga prindërit tanë që në moshtë vogël dhe është pjesë e traditës së një populli e cila është trashëguar brez pas brezi duke reflektuar edhe ndryshimet sociale apo teknologjike të cilat kanë ndodhur. Por kjo kulturë shpesh ndryshohet edhe në ndërveprim me shoqërinë apo kushtet e jetesës.

Në programet e shkollës flitet pak ose aspak për kulturën e ushqimit.

Informacione, mentalitete apo zakone të gabuara gjen gjithandej dhe shpesh njerëzit bien “pre” e tyre dhe e kanë të vështirë më pas ti ndryshojnë. Është mirë që që këto informacione t’i ballafaqojmë përpara se të jenë vonë dhe t’i zbatojmë.

Të ushqyerit është një nevojë dhe rutinë e përditshme kështu që nëse duam ta zbukurojmë jetën duhet t’i japim vendin që i takon të ushqyerit. Të ushqyerit nuk duhet të jetë thjesht “të mbushësh barkun”.

Në botë ekzistojnë shumë kuzhina të famshme nga vende e kultura të ndryshme por disa prej tyre spikasin si psh. kuzhina italiane, kineze etj.

Një nga kuzhinat më të kërkuara dhe më të shëndetshme është kuzhina mesdhetare dhe kjo për shumë arsye. Kuzhina shqiptare është pjesë e kuzhinës mesdhetare “dhe jo vetëm” që është edhe slogani i ShijoSHqip Prishtinë.

Po çdo të thotë të ushqehesh mirë dhe shëndetshëm?

  • E rëndësishme për trupin është që të ketë një metabolizëm të mirë për të marrë vlerat ushyese që i duhen për veprimtarinë e vet.

Që të kemi një metabolizëm të mirë duhet që stomaku të punojë gjithë kohën dhe për ta bërë këtë duhet që të ushqehemi rreth pesë herë në ditë (mëngjesi, paradreka, dreka, pasdreka apo “zemra” dhe darka), mundësisht me orare fikse. A është gjithmonë e mundur kjo? Nëse e vlerëson veten dhe shëndetin tënd pse jo.

  • Lëndë ushqyese (karbohidrate, proteina etj.) të balancuara.

Kjo do të thotë që duhet ti marrim të gjitha lëndët ushyese për të cilat trupi ka nevojë. Nëse njëra prej tyre teprohet apo pakësohet shëndeti ynë vihet në pikëpyetje. Në mënyrë që kjo të ndodhë duhet të mos hamë në një vakt vetëm një lloj ushqimi (psh: vetëm rizoto, vetëm sallatë, vetëm supë apo vetëm mish) por t’i alternojmë ato (dreka psh.: sallatë apo supë, pjatë e parë, pjatë kryesorë, ëmbëlsira apo fruta).

  • E rëndësishme është që ushqimi të jetë sa më i freskët, i prodhuar sa më afër, i përpunuar sa më pak që të jetë e mundur. Kështu vlerat ushqyese janë më të mëdhaja;
  • Lëngjet ndihmojnë tretjen;
  • Ngrënia me terezi (ngadalë) dhe përtypja mirë e ushqimit lehtëson punën e stomakut por edhe na bën të ndjehemi mirë. Në kulturën tonë thuhet që një kafshatë duhet përtypur 40 herë (uji që kalon nën 40 gurë është i pijjshëm etj.).
  • Ushqimi si kënaqësi.

Ushqimi duhet të ketë shije, sa më shumë ngjyra apo forma që të na bëjë të hamë me oreks dhe dëshirë. Kur gjërat bëhen me kënaqësi rezultati është pozitiv dhe kalojmë një kohë të këndëshme.

  • Kujdes me sasinë (sidomos me kripën, sheqerin, kafen apo çajin).

Duhen shumë shije, shumë lëndë ushqyese por të gjitha në sasinë e duhur. Në Kuran thuhet: “Çdo gjë e tepërt është haram”.

Këto janë vetëm disa nga rregullat më të rëndësishme.

Në kohën që po jetojmë shumë herë nuk i marrim parasysh këto rregulla. Hahet shpejt e pa mendje (shpesh me një dorë si sakatët sepse në dorën tjetër është telefoni). Shprehjet si “e hodhi ushqimin prapa kurrizit, apo “mbushi barkun” trgojnë që ushqimi nuk është ngrënë si duhet.

Ndodh shpesh (me streset që ka jeta) që ka gjëra të rëndësishme që duhet të bëjmë dhe përfundojmë te ushqimi i shpejtë (fast food) dhe hamë duke ecur, por nuk e di nëse ka gjëra më të rëndësishme se shëndeti. Nëse kjo bëhet shpesh rezultati është: rritja e tensionit të gjakut, gastrit, diabet dhe sëmundje shumë të tjera edhe më të rrezikshme të cilat fillojnë dhe shfaqen jo larg po pas 40-tave të cilat na ulin cilësineë e jetës apo akoma më keq.